Haradinaj nderon djalin e Presidentit amerikan: Beau Biden shërbeu në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore të Beau Biden, djalit të Presidentit të ShBA-ve, Joe Biden.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj secilit amerikan që ka shërbyer në Kosovë.

“Beau Biden shërbeu në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera të përbashkëta të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke nderuar sot shërbimin e tij në ofrimin e paqes dhe lirisë për vendin tonë, Beau do të jetë gjithmonë pjesë e kujtesës historike të Republikës së Kosovës”.

“Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj secilit amerikan që ka shërbyer në Kosovë, falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe lidershipit të Presidentit Biden drejtë paqes dhe prosperitetit në Ballkan”, ka shkruar Haradinaj.