Haradinaj ndan medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Akademinë Përkujtimore

Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore dhe në zbulimin e shtatores së atdhetarit, Shejh Mihedin Shehu, në 21 vjetorin e rënies së tij, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.

Ai në këtë Akademi Përkujtimore tha se një ngjarje si kjo i bën krenarë popujt, po ashtu Haradinaj tregoi se nuk është rastësi se pse Shejh Mihedini nuk e përfilli urdhrin e forcave serbe, e që mbeti në rolin e vet që kishte, besnik ndaj besimtarëve të vet, besnik ndaj popullit, ndaj atyre që ishte dhe ndau fatin me ta në Teqenë e Madhe në Rahovec.

Haradinaj, me këtë rast pasuesit të Teqesë, Shejh Besimit, i ka ndarë medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Shejh Mihedin Shehu do të kujtohet gjithmonë si udhëheqës shpirtëror e fetar, si patriot dhe hero i Kosovës.

“Shejh Mihedin Shehu vjen nga një familje e cila përfaqëson me dinjitet vlerat e larta shpirtërore dhe atdhetare, familje e cila ndër vite dhe në periudha të ndryshme ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare deri në lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptarë të Kosovës”, tha kryetari Latifi.

Në këtë akademi të organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetarë të komunave dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

loading…