Haradinaj: Serbia ka hapur ekonominë e saj, Kosova nuk guxon të vonohet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri me mandat të plotë për ta rimëkëmbur ekonominë pas tejkalimit të COVID-19.

Haradinaj ka thënë se qeveria e shkarkuar e ka të pamundur që të bëjë rimëkëmbjen e ekonomisë sepse nuk ka kompetenca.

“Marrja e përgjegjësive është e rëndësishme. Qeveria e shkarkuar e ka të pamundur të bëjë rimëbkembjen. Është e nevojshme një qeveri më mandat të plotë që të fillojë rimëkëmbjen menjëherë”, tha Haradinaj, pas vizitës në degën e AAK-së në Ferizaj, në 20 vjetorin e themelimit.

Haradinaj ka thënë se shpreson se shqetësimet rreth pandemisë do të tejkalohen. Ai ka thënë se duhet të fokusohemi në rimëkëmbjen e vendit.

“Jemi të kujtojmë 20 vjet të themelimit të AAK. Takuam disa kolegë. Ajo që është me rëndësi është ruajtja e ekonomisë. Duhet të nxitojmë me masat ekonomike që të rikthejmë ekonominë. Nëse i marrim shtete fqinj Serbia e ka hapur ekonominë dy javë përpara. Kosova nuk guxon të vonohet tepër. Duhet të kemi strategji dhe nuk guxojmë të mbesim të fundit. Kjo është tepër me rendësi”, tha ai.

Kurse sa i përket degës së AAK-së në Ferizaj, Haradinaj ka thënë se është një degë e fuqishme me shumë anëtarë e simpatizantë.

“Në Ferizaj jemi degë e qëndrueshme me shumë votë. Ndjejmë përgjegjësi t’i marrim përgjegjësit bashkë”, tha ai. I pyetur nëse po bënë fushatë Haradinaj ka thënë se partitë janë gjithë jetën në fushatë, por kjo nuk ka të bëjë me fushatë por vetëm me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të degëve të kësaj partie.

Ndërsa, kryetari i degës së AAK-së në Ferizaj, Xhavit Zariqi ka thënë se AAK është parti e cila ka marrë pjesë në të gjitha proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese.

“Jem bashkë me kryetarin e AAK që po viziton të gjitha degët e AAK në përvjetorët e tyre. AAK ka marrë pjesë në të gjitha proceset e saj shtetformuese. AAK ka kontribuar në shtetformin e shtetndërtim. AAK është subjekt jashtëzakonisht i rëndësishëm në skenën politike, kemi mbështetur të gjitha proceset pozitive dhe kemi penguar proceset negative. Kjo është sukses i kryetarit të AAK-së dhe AAK-së në përgjithësi”, tha ai.