Haradinaj: Mujë Krasniqi një atdhetar i pashoq që na bashkoi përherë me pushkë e këngë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sot në Klinë në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Mujë Krasniqi – Kapuqi ishte ndër të parët që luftoi për lirinë e Kosovës dhe bashkë me Beqirin i kënduan lirisë dhe këngët e tyre u bënë frymëzim për luftëtarët e UÇK-së.

“Pata nderin të jem sot në Klinë, në shenjë respekti për veprën heroike të komandant Mujë Krasniqit, vëllait të tij Aliut, Beqir Gashit e 37 bashkëluftëtarëve të tjerë, por edhe në shenjë respekti për të gjallët. Mujë Krasniqi – Kapuqi ishte ndër të parët që luftoi për lirinë e Kosovës.

Bashkë me Beqirin i kënduan lirisë dhe këngët e tyre u bënë frymëzim për luftëtarët e UÇK-së ku së bashku me këngën ata i dhanë jetë idealit dhe të drejtës tonë.

Sot, në Klinë në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë”, kushtuar Mujës tonë, kujtuam dhe nderuam figurën e tij, të një atdhetari të pashoq, që me pushkë e këngë na bashkoi përherë”, ka shkruar Haradinaj.