Haradinaj: Mohimi i lëvizjes së lirë për kosovarët ka shkuar në nivel të diskriminimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se rinia e Kosovës e do Evropën dhe dëshiron t’i bashkohet asaj si e drejtë e natyrshme e saj.
“Në zhvillimet e sotme politike, disa janë të djathtë, disa të majtë, disa edhe liberalë, por ne jemi europianë, e duam Europën, dëshirojmë t’i bashkohemi Europës si Kosovë. Jemi me orientim euro-atlantik. Dëshirojmë të jemi pjesë e NATO-s dhe në këtë drejtim, ne kërkojmë mbështetje, kërkojmë miq, që t’ua përcjellim porosinë qytetarëve europianë, duke filluar nga fqinjët tanë, veçanërisht Serbisë dhe qytetarëve të saj. Është e rëndësishme që ta njohin të vërtetën tonë. Tani është koha ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përmbyllëse të Konferencës së Asamblesë së Përgjithshme “Prizreni 2018”, organizuar nga Parlamenti Evropian Rinor.

Në fjalën e tij, para delegatëve të shumtë, zyrtarë nga të gjitha shtetet e Evropës, e ambasadorë, Haradinaj tha se, ata sot janë ulur në Kuvendin e shtetit më të ri në Europë dhe të botës, dhe se ky shtet i ri është rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila shpërbërje siç tha ai, ishte shumë tragjike, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

“Ka lënduar njerëzit në mënyra të ndryshme. Sidoqoftë, të gjithë jemi këtu, në shtetin tonë, për ta tejkaluar atë, për të mësuar nga e kaluara dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt. Organizatën tuaj e shoh si lidhje ndërmjet të rinjve”, theksoi kryeministri.

Duke folur për vështirësitë që hasin të rinjtë kosovarë në gjetjen e një vendi pune, Haradinaj theksoi se fatkeqësisht jeta nuk është e përkryer, sepse të rinjtë tanë luftojnë për një punë dhe kjo, sipas tij, nuk është aspak e lehtë.

“Arsimi nuk është ende ashtu si duhet të ishte. Arsimimi dual nuk është ende ofertë për ta. Ta gjejnë një punë, për shumë prej tyre, është vërtetë e vështirë. Të mësuarit nga praktikat e mira të vendeve tjera, të mësuarit nga praktikat e të rinjve nga shtetet tjera është e vështirë për të rinjtë tanë, sepse ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Jemi i vetmi shtet në kontinentin tonë, në Europë, që nuk kemi liberalizim të vizave. Kjo nuk është vetëm pengesë, por shkon deri në nivel të diskriminimit. Sidoqoftë, jemi europianë”, deklaroi Haradinaj në përfundim të fjalës së tij.