Shefja e BE-së

Haradinaj: Mogherini mbyti dialogun, mendimi i saj për shkëmbim të territoreve nuk vlen

Pas mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Haradinaj ka mbajtur konferencë për media.

Ai ka diskutuar edhe rreth masave të reja që mund të ndërmirren ndaj shtetit serb, nëse Serbia vazhdon sjelljen e njejtë ndaj Kosovës.

Tutje ai ka folur edhe rreth dialogut dhe deklaratave të Frederika Mogherinit për idenë e demarkacionit me Serbinë apo idenë e shëkmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj që BE ka investuar shumë në këtë dialog për t’a çrregulluar në këtë mënyrë. Mendoj që Mogherini e ka mbytur dialogun dhe e ka çrregulluar atë nga dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve në një dialog për shkëmbim territoresh” ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.

Haradinaj ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë destabilizim i shteteve në Ballkan, andaj deklaratat dhe mendimet e Mogherinit rreth kësaj ideje nuk vlejnë.

“Mendimi i Mogherinit rreth idesë së shkëmbimit të territoreve është i pavlefshëm për mua pasi një shkëmbim i tillë është i dëmshëm për të gjitha vendet e Ballkanit” ka përfunduar Haradinaj. /Ballkani.info/