Haradinaj: Më dhemb që të rinjtë duan të largohen nga Kosova, e ndiej

Pasditen e së martës, mijëra qytetarë ia mësynë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, në përpjekje për të gjetur pune në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë, nëpërmjet një kompanie nga Prizreni, e cila ka hapur konkurs për 2 mijë vende pune në shtetin gjerman. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Hamush Haradinaj, ka bërë të ditur se është duke u hetuar kjo kompani, ndonëse në Polici thanë se nuk ka nisur ndonjë hetim. Por, edhe sot Haradinaj sërish është deklaruar për këtë çështje.

Kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar sërish lidhur me të rinjtë në Prizren, të cilët po dëshirojnë të marrin rrugën drejt Gjermanisë për tu punësuar.

Gjithë kjo pas një lajmërimi të një kompanie gjermane, e cila ditë më parë ka njoftuar për mundësi punësimi në aeroportin e Hamburgut. Ndërsa kompania nga Prizreni ka hapur konkurs për t’ua mundësuar kosovarëve të punësohen në këtë aeroport.

Sot, Haradinaj ka deklaruar se gjendja e fundit me të rinjtë në Prizren po e brengos shumë.

“Mua më dhemb kjo gjendje në Prizren dhe e ndiej, gjatë tërë vitit kemi punu që me e pru Gjermaninë në Kosovë dhe jo ne me shku. Shpresoj që qytetarët do mund të gjejnë vende të punës në Kosovë dhe jo jashtë saj”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, dje Haradinaj kishte thënë se kjo kompani po hetohet nga organet kompetente.