Bashkëpunimi

Haradinaj: Malta është vend mik i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim ambasadorin e Maltës, jorezident në Kosovë, Godwin Pulis, ka kërkuar mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi Ambasadorin Pulis me progresin e arritur në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet evropiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.

Duke e falënderuar për kontributin e Maltës dhënë për shtetndërtimin e Kosovës në të gjitha fazat e saj, kryeministri Haradinaj, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral me këtë shtet mik edhe më tutje, duke u fokusuar më shumë në bashkëpunim në fushën e arsimit dhe në fuqizimin e partneritetit ekonomik mes dyja vendeve.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga Ambasadori Pulis mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ambasadori Godwin Pulis, shprehu përkrahjen e Maltës për Kosovën, si dhe përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.