Haradinaj: Kurti u tregua rebel për targat, i delegoi “mish për top” policët në Veri

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj thotë se Kosova ka humbur shumë falë vendimeve arrogante të kryeministrit, Albin Kurti.

Dakordimi për çështjen e targave dhe zbatimi i kërkesës së ndërkombëtarëve nga ana e Kurtit, Haradinaj thotë se ishte i vonuar, pasi nga rebelimi i kryeministrit në veri institucionet kosovare nuk kanë asnjë ndikim.

“Unë nuk njihna si servil i ndërkombëtarëve as i faktorit vendor, por e kam thënë publikisht se duhet me ngu Amerikën sepse janë aksionerët kryesor të shtetit tanë. Kjo nuk nënkupton ndonjë dobësi në rast se bien dakord. Nga ky rebelim i Kurtit ndodhi që i humbën gjitha ato investime në pjesën veriore. Vendimi është kthyer ku kemi qenë në fillim, kemi prap zgjedhje në veri dhe nuk dihet çfarë modeli të zgjedhjeve do kemi. Ndërsa institucionet tona nuk janë prezente, janë shpifje kur thonë se e kemi situatën në kontroll, nuk e kanë nën kontroll. Kurti na acaroi me aletatët tanë me një tip të arrogancës. Sot jemi në një vendim të kthyer mbrapa dhe me humbje”, ka thënë Haradinaj për Insajderin.

Sipas tij, plani franko-gjerman nuk ishte perfekt, por në këto rrethana ka qenë zgjidhja më e mirë.

“Kushdo që të jetë kryeministër në raport me Serbinë do e ketë përkrahjen time dhe të Aleancës, por nuk kemi asnjë justifikim të mos merremi vendime në bashkërendim me SHBA-të. Sjellja e këtyre 40 ditëve dhe kthimi në marrëveshjen fillestare besoj se është një humbje shumë e madhe. Besoj se SHBA-të dhe BE e dinë që ky shtet i ri nuk është i një idividi, nuk kemi ardh leht deri këtu dhe duhet me ruajt. Më i rëndësishëm është procesi i shtetformimit se marrja e një grushti të votave nga disa servil”, ka theksuar Haradinaj.

Tutje, ai ka thënë se aktualisht në veri veprojnë vetëm institucionet ndërkombëtare.

“Ne i kemi vetëm disa policë të njësive speciale të cilët janë të trajtuar keq prej institucioneve qeveritare, as nuk ushqehen si duhet. Është lehtë me marrë vendime me i delegu mish për top djemt tanë në veri por nuk duhet ashtu”.