Haradinaj: Kurti është nervoz, sepse AAK-ja del para VV-së në sondazhe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur shkurt rreth zhvillimeve të fundit në vend.

I pyetur rreth tubimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe paralajmërimeve për protestë, Haradinaj ka thënë se ka parë një lloj nervozizmi tek pjesëtarët e kësaj partie.

“Unë dje edhe në Kuvend e pashë një nervozizëm tek anëtarët e LVV-së, shembull konkret tek Konjufca i cili kontratën me Counter Global e quajti kriminale. Është e turpshme që të quhet kriminale një kontratë investimi prej një miliardë e 300 milionë euro në Kosovë, dhe nëse është e tillë besoj se ka ndonjë jurist që do të paraqiste padi”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info.

Kryeministri ka thënë se deri më tani ka parë një lloj nervozizmi tek LVV-ja, pasi që sipas tij ka rënë edhe besimi i qytetarëve ndaj kësaj partie.

“Me informatat që i kam deri më tani, AAK-ja e ka tejkaluar Vetëvendosjen për nga besimi në popull. Unë i kam pyetur edhe disa kolegë të mi, pasi që jam habitur me rënien e besimit ndaj Vetëvendosjes dhe më kanë thënë se nuk kanë forca për t’i paraqitur temat, pasi që këto nuk po paraqiten në mënyrën e duhur si dikur. Këta e kanë mësuar qytetarin që ti elaborojnë temat kryesisht me nervozizëm, militantizëm etj”, është shprehur Haradinaj.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të mbajë tubime dhe organizime në qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa nuk kanë mohuar edhe mundësinë për organizimin e protestave. /Ballkani.info