Sadri Zeneli

Haradinaj kujton heroin Sadri Zeneli: Mësues e komandant lufte, ishte i pari në rezistencë dhe aksione

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombin, Sadri Zenelin në 25-vjetorin e përjetësisë.

Haradinaj ka thënë se Sadri Zeneli ishte mësues, prijës popullor e komandant lufte.

“Mësues, prijës popullor, komandant lufte, i pari në rezistencë e aksione. Ky ishte bashkëluftëtari im Sadri Zeneli, që sot po e përkujtojmë në 25-vjetorin e përjetësisë. Luftëtarët dhe udhëheqësit e luftës nga Jabllanica e Gjakovës, me trimërinë e guximin e tyre, i dhanë kahje fatit të shumë betejave kundër armikut, duke e ruajtur kështu traditën shekullore të rezistencës dhe përpjekjeve për liri”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar dhe nderuar sakrificën e të rënëve tjerë në përvjetorin e rënies.

“Në këtë përvjetor të dhembjes dhe krenarisë, përkujtojmë dhe nderojmë gjithashtu sakrificën e bashkëluftëtarëve, Ali Rama, Ramë Mehmeti, Islam Ademaj, Lan Rexhaj, Bajrush Mehmeti, Arben Mehmeti dhe Fitim Rexha. Sakrifica e tyre, obligon përkushtimin tonë për një Kosovë më të sigurtë dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike.Ju faleminderit për shërbimin”, është shprehur Haradinaj.