Haradinaj kujton ditën e formimit të Ushtrisë: Do shërbejë përtej kufijve

Ushtria e Kosovës sot po shënon dy vjetorin e formimit të saj, ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se vendimi për këtë nuk ishte i lehtë, por ajo është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë.

Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se kjo ditë ishte historike për Kosovën dhe më të rëndësishmet që pas shpalljes së pavarësisë, shkruan Ballkani.info.

Ai ka falenderuar deputetët të cilët kanë votuar për ushtrinë, që sipas tij, nënkupton votim për paqe e siguri në rajon. /Ballkani.info/

Postimi i plotë:

Sot, kur shënojmë dy vjetorin e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atij për Shërbim në FSK, mund të themi se Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë.

14 Dhjetori i 2018-së ishte ditë historike për Kosovën, ndërsa vendimi për formimin e Ushtrisë ishte një ndër vendimet aspak të lehta, por më të rëndësishmet pas shpalljes së pavarësisë. Falënderoj secilin deputet që votoi për ushtrinë, që nënkupton votim për paqe e siguri në rajon.

Kosovë, urime dy vjetori i Ushtrisë!

RH