Haradinaj: Kudo që ishte Muja, njerëzit bëheshin luftëtarë

Nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe shoqatave të dala nga lufta është mbajtur sot akademi përkujtimore në 20-vjetorin e rënies heroike të komandant Mujë Krasniqit “Kapuqi” dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me këtë rast ka nisur fjalimin me urimin për Ushtrinë e Kosovës, meqë sipas tij, edhe data 14 dhjetori nuk ishte caktuar rastësisht, por në ditën e përvjetorit të rënies së Mujë Krasniqi.

“Në këtë ditë të formimit të ushtrisë po na mungon ish-komandanti i UÇK, Sylejman Selimi, për të cilin presim të triumfojë për lirimin e tij. Komandant Mujë Krasniqi kujtohet sot për kontributin dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë”, ka thënë Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se është mjaft e madhe humbja e Mujë Krasnqit, i cili ishte luftëtar i hershëm.

“Ku do që ishte Muja, njerëzit u bënin luftëtarë… Kemi pasur edhe shumë beteja me humbjen e ushtarëve, por kjo me Mujë Krasniqin ka qenë humbja më e madhja”, theksoi Haradinaj.

Ai shtoi se edhe pas kësaj humbje nuk u zbeh besimi dhe bindja për të drejtën për liri.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari ka thënë se rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarët e tij është e veçantë.