Haradinaj krahason videot e VV-së me propagandën e Enver Hoxhës: Mendonim se Shqipëria ishte lule

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar sot edhe një video të re në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ku flasin për energjinë elektrike dhe krizën me të cilën po përballet vendi.

VV-ja edhe një herë ka akuzuar opozitën për krizën në të cilën ndodhet Kosova, duke thënë se tani ata duhet “të na kursejnë nga zhurma”.

Në këtë video është paraqitur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka reaguar pas publikimit të këtij video.

Ai ka thënë se publikimi i kësaj video nga VV për energjinë elektrike dhe proceset që kanë ndodhur në këtë drejtim është “kur krimineli kthehet në vendin e krimit”.

“Çfarë kanë bo këta është kthimi i kriminelit në vendin e krimit. Këta kanë pengu investimin në qymyr, deri në ardhjen në qeveri këta kanë pengu që Kosova me pasë kapacitet. Edhe ajo aty që u përmend (në video), është kry nga unë, këta i kanë gjetë të kryme e po thonë se i kanë inauguru. Me i pasë nxanë në kohë edhe ato sigurisht i kishin pengu. Sikur transmisionin e energjisë së lartë me Shqipërinë, nëse e kishin nxanë në kohë e kishin pengu edhe ata. Tash në vend të importit nga vendet tjera, këta do ja dhënë qindra miliona euro të vjedhura nga qytetarët Serbisë, për të shtuar ende para në atë 500 milionshin e importit nga Serbia, tash edhe të tjera do të dërgohen në Serbi”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.

Ai ka thënë se arsyeja e publikimit të këtyre videove nga Lëvizja Vetëvendosje është pasi që ata e kanë parë zhgënjimin e qytetarëve.

“Kanë fillu me marrë reagimet e qytetarëve, pe shohin që mashtrimi ju ka dalë. Qytetarët janë duke e parë kush janë. Pra kanë nisur sikur një propagandë zgjedhore, ndoshta edhe janë të interesuar për të shkuar në zgjedhje”, ka thënë kreu i AAK-së.

Ai ka krahasuar partinë e kryeministrit Albin Kurti me partinë e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha.

“Unë e mbaj mend edhe propagandën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, populiste, ne mendonim se Shqipëria ishte plot lule, por u zhgënjyem kur e vizituam. Njëjtë janë edhe kta, eksplicit njëjtë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se edhe parku i erës në Shalë që është shfaqur në videon e Lëvizjes Vetëvendosje, është përfunduar në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka gjetur të gatshëm.