Haradinaj: Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, është takuar sot me Susanne Schütz, Drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe rajon si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Fillimisht, Haradinaj e ka falënderuar Schütz, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke thënë se Kosova është falënderuese për një shtet mik siç është Gjermania, transmeton Klan Kosova.

“Kosova ka arritur të krijojë aleat të fuqishëm dhe përkrahja e Gjermanisë është tejet e nevojshme për të vazhduar integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kushtet për të cilin fakt, vendi tashmë i ka plotësuar”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Haradinaj tha se Kosovës ende i duhet mbështetja e Gjermanisë në zhvillimin ekonomik, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtar dhe rrugën e saj euroatlantike.

Haradinaj theksoi se Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman, siç është punuar shumë në jetësimin e projekteve ekonomike si ITP në Prizren dhe Soëi Kosova dhe ngjashëm edhe në aspektin politik, duke e falënderuar Gjermaninë për qëndrimin konsistent në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.

“Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren është një prej shembujve të mirë se si mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona, andaj, Kosova është e gatshme dhe mirëpret investimet gjermane”.

Ndërsa, Susanne Schütz, Drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ka falënderuar kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e shtetit gjerman për mbështetjen e Kosovës në të ardhmen.