Ramush Haradinaj

Haradinaj kërkon nga Rama ta legalizojë kanabisin: Nuk po them me e mbjellë si fasule

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanabisi është një nga problemet e Shqipërisë dhe zgjidhja sipas tij është legalizimi.

Ai në një intervistë për “ABC” i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të marrë guximin dhe të bëjë një ligj për ta legalizuar kanbaizin.

“Nuk kam për atë (Ramën) mesazh, por dëshira për Shqipërinë, kam qejf me e parë Shqipërinë më shumë shtet ligjor, ekonomi më të fortë, respektim të ndërsjellë të bindjeve, partive, jo me dominime. Kisha menduar që është tepër me rëndësi me legalizuar narkotikët në Shqipëri me ligj, sidomos ata që mbjellin. Kanabisin. Duhet ta marrë guximin. Ta legalizojë. Të bëjë ligj për kultivimin e tyre. E ka bërë Maqedonia. E kanë bërë popuj të tjerë. Ta heqim veten si shqiptarë nga harta e tyre që jemi vend narkotik. Ligj, transparencë, buxhet. Ndoshta do ta pastronim emrin tonë si shqiptarë. Rrezik ka si është sot, jo nëse legalizohet. Maqedonia e ka bërë. Edhe Shqipëria ta bëjë një ligj. Nuk po them, me e mbjellë si fasule (qesh). Por të paktën të kemi një mbulesë para të gjithë të tjerëve, se ka një sektor ekonomik të caktuar, në bazë të ligjit, në Maqedoni e kanë bërë, e përdorin për mjekësi, për të tjera. Duhet me i dhënë përgjigje, disa problemeve që ka Shqipëria, me një bazë të qëndrueshme ligjore. Mos me i lënë si çështje që të gjithë i dinë, flasin dhe keqpërdorin kundër nesh, Shqipërisë dhe Kosovës dhe ne bëjmë sikur nuk ekzistojnë, duhet me u dhënë përgjigje ligjore, vetëm me ligj dilet nga kjo gjendje”, ka thënë ai në ‘’ABC’’.

Është komentuar shumë se çfarë ndodhi në të vërtetë në takimin e Berlinit, ku është thënë se pati një debat të ashpër midis ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Por a janë thënë vërtetë, çfarë ndodhi në Berlin?

“Jo, jo, nuk praktikohet një gjuhë e tillë me ata udhëheqës. Në biseda të ndërsjella me kryeministrin ose me ndonjë edhe mund të kem tejkaluar ndonjë komunikim, mund ta kem bërë, se njerëz jemi, nëse debatojmë. Por nuk kanë qenë pjesë e diskutimit me takime zyrtare, komunikimeve zyrtare me palë zyrtare. Unë besoj që do të tregoj respekt, nuk jam njeri i parespektueshëm në komunikim. Edhe nëse përdor një gjuhë apo një qasje, mund të kem arsyet e duhura, nuk e bëj rastësi apo koicidencë, po nëse rrethanat më krijohen të tilla, po”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj pohon se nuk flet me kryeministrin e Shqipërisë, megjithatë e konsideron vëlla shqiptar, si konsideron çdo kryeministër të këtij vendi.

“Unë ka një kohë që nuk kam pas as takim, as diskutime dhe ndonjë temë të hapur me kryeministrin (Rama). Jam në opozitë prej një vit e ca. Jam me disa detyra të natyrave të tjera. E pashë se ai e kishte ndërlidhur në një rast, përvojën gjatë kohës që unë isha kryeministër, të komunikimeve të atëhershme, m’u duk e paarsyeshme. Kanë kaluar edhe kohë që atëherë, janë tema dhe rrethana të tjera. E vërteta është që unë kam bërë kujdes në komunikim me të gjitha palët, njihem për një qasje të respektueshme me palët edhe kur nuk pajtoj. Por detyra ime në bazë të Kushtetutës së Kosovës është që të mbroja territorin, sovranitetin dhe interesat e Kosovës”, potencoi i pari i AAK-së.