Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përshëndetur punën e ekipeve në Mitrovicë që ndihmuan minatorët të dalin nga miniera e Trepçës.

Haradinaj ka thënë se ekipet ndihmëse nën asistencën e Policisë së Kosovës kanë filluar punën për ta kthyer gjendjen në normalitet deri në ditën e nesërme.

Reagimi i kryeministrit vjen pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë gjatë ditës së sotme, ku pas djegies së trafostacionit në Mitrovicë, e gjithë zona kishte mbetur pa energji elektrike.

Trafostacioni, sipas njoftimit të KEDS-it ka qenë brenda objektit të Trepçës, njëkohësisht edhe në pronësi të kësaj ndërmarrje.

Si pasojë e mbetjes pa energji elektrike, minatorët e Trepçës ishin bllokuar brenda në minierë.

Haradinaj në anën tjetër ka bërë thirrje për durim nga qytetarët në Mitrovicë deri sa Qeveria, ekipet emergjente dhe Policia janë të angazhuar për ta ndihmuar tejkalimin e situatës dhe evitimin e rreziqeve të mëtutjeshme. /Ballkani.info