Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Bëja një të mirë Kosovës, tërhiqu

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Kurti për shkak se ky i fundit po insiston mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se veprimet e kryeministrit Kurti janë anti-kombëtare dhe anti-shtetërore.

“E dhimbshme. E rrezikshme. Anti-kombëtare e anti-shtetërore krejt çka po bën e si po vepron Kryeministri. Atij nuk po i mjafton asociacioni të cilin tashmë e ka bërë akt të kryer, por po e shtyn nje autonomi për veri”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kurti e ka shansin e fundit për ta bërë një punë të mirë për Kosovën, të japë dorëheqje.

“Insistimi me çdo kusht i mbajtjes së zgjedhjeve në veri, është pjesë e këtij skenari e jo nevojë për rikthim, as të ligjit e as të demokracisë në këtë pjesë të Kosovës. Por ky skenar “nuk do te kalojë” as nga Kurti e as nga sejmenët e tij! Ky njeri e ka shansin e fundit ta bëjë një punë të mirë për Kosovë. Të japë dorëheqje!”, është shprehur Haradinaj.