Haradinaj: Jam përballur edhe unë me kërcënime me jetë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kërcënimet ndaj kujtdo duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen me profesionalizëm.

Duke aluduar në raportimet e LDK-së në Polici një ditë më parë se kryetari dhe disa deputetë të saj janë kanosur, Haradinaj ka shkruar të enjten në Facebook se edhe ai është kërcënuar, madje edhe me jetë.

“Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkuar që të mos shfrytëzohet tema e kërcënimeve ndaj figurave publike për të tërhequr vëmendjen nga temat e interesit popullor.

“Do të ishte politikisht jo korrekte dhe e dëmshme madje, sikur përfshirja e opinionit publik në këtë temën e kërcënimeve ndaj figurave publike, të shfrytëzohej për t’i hequr nga vëmendja e popullit, qoftë edhe përkohësisht, temat e interesit popullor, siç janë; problemet ekonomiko-sociale e ato politike, apo edhe defektet e mëdha në politikën e jashtme të vendit!”, ka shkruar Haradinaj.