Kryeministri

Haradinaj iu prezanton ambasadorëve draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Haradinaj ka paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, raporton Ballkani.info.

Këtë lajm, Haradinaj e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka bërë të ditur se ambasadorëve të Quint-it, iu janë prezantuar kapitujt që për Qeverinë e Kosovës përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes.

Kryeministri ka theksuar se dokumenti i prezentuar është mbështetës për procesin ekzistues të dialogut dhe parasheh aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi.

Postimi i plotë i Haradinaj:

Sot, përpara ambasadorëve të vendeve të Quint-it, kam paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi. Shefi i Dialogut Teknik, Avni Arifi, ka prezantuar kapitujt, që për ne do të përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes, e cila do t’i hapë rrugë normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike. Në ditët dhe javët në vijim, ky draft-dokument do të diskutohet me të gjitha palët në shoqërinë tonë, për të arritur te dokumenti përfundimtar, ku do të përfshihet ekspertiza e të gjithëve.