Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se tema e zgjedhjeve të parakoheshme nuk është në tavolinë.

“Qeveria edhe mund të bie, por jo për shkak që është hidheruar Lista Serbe”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, problemi me Serbinë nuk është ndërmjet Listës Serbe dhe Kosovës, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete.

“Tash kemi prioritete tjera të rëndësishme, siç është Interpoli, liberalizimi i vizave, pra zgjedhjet nuk janë në agjendë”, ka thënë ai, raporton Ballkani.info.

Kryeministri është pyetur edhe për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, duke thënë se kjo temë ka vdekur dhe se pas sajë do të vije në shprehje ideja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo mund të shfrytëzohet me një Zajednicë bukur të madhe me kompetenca, por ne do të bazohemi vetëm në Kushtetutë dhe dihet çka lejon ose jo Kushtetuta në këtë aspekt”, tha Haradinajt.

Tutje ai ka thënë se presioni tashmë do të rritet për Asociacionin dhe kjo është e pritshme nga Serbisë, në mënyrë që të ketë kompetenca më të zgjeruara. /Ballkani.info/