Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një takim sot me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.Haradinaj tha se Thaçi ka dhënë disa informacione jokonkrete nga detajet e takimeve të tij në SHBA me zyrtarë amerikanë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.


“Nuk ka dhënë ndonjë dokument, por shpjegime ka dhënë se është bisedu për mundësinë e ecjes drejt një marrëveshje përfundimtare zyrtare Kosovë-Serbi. Por nuk kishte ndonjë dokument, nuk kishte ndonjë gjë konkrete, specifike”, tha Haradinaj para gazetarëve.


Haradinaj tha po ashtu se Presidentit i ka shprehur qëndrimin e tij dhe të AAK-së, që në Kosovë të mbahet Konferenca për Kosovën, për t’i dakorduar qëndrimet në raport me Serbinë.


“Propozova idenë që të takohemi pra në një konferencë në Kosovë, dy ditë punë, që të përafrojmë qëndrimet. Pra në rast të ballafaqimit të Kosovës, në një moment më final, të mos shkojmë të përçamë e të ndamë”, tha Haradinaj.Por ndaj këtij propozimit, Haradinaj tha se nuk pat ndonjë reagim nga Presidenti.


Ai po ashtu, tha se Presidentit ia ka bërë të qartë se nëse në marrëveshjen përfundimtare trajtohet territori i Kosovës po korrigjimi i kufijve, atëherë procesi do të dështojë ende pa nisur.“Në rast se trajtohet territori i Kosovës ose korrigjimi i kufijve, atëherë ky proces ka dështu para se të nis. Pra do të jetë i dështuar. Në rast se respektohet integriteti territorial i Kosovës edhe Kushtetuta e vendit, atëherë ka shanca”, tha Haradinaj.