Haradinaj i reagon partisë së Albin Kurtit, thotë se përdorin termin “Republikë” kur i referohen Serbisë

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë thirrje publike për të gjitha institucionet e vendit, që të mos përfaqësohen në asnjë rast pa simbole shtetërore.

Haradinaj ka shkruar se kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme, zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar t’a shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare.

“Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nuk janë çështje dëshirore! Edhe Marrëveshja e Brukselit për Përfaqësim dhe Bashkëpunim rajonal nuk e ndalon përdorimin e simboleve, përkundrazi – prandaj emri i Kosovës duhet të jetë i barabartë me të gjitha emrat tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe në rast përdorimit të simboleve të shteteve tjera, organizatorët e takimeve janë të obliguar ti vendosin edhe simbolet e Republikës së Kosovës, në linjë dhe me qëllimin e përfaqësimit të barabartë të Republikës së Kosovës. Por, kjo nuk do të ndodhë pa kërkuar ne, apo pa respektuar ne veten dhe qenësinë e shtetit tonë. Përfaqësuesit e Kosovës, e kanë për obligim që çdo përpjekje të kujtdoqoftë, që synon t’a prezantoj në nivel më të ulët shtetin tonë, të mos e pranojnë dhe t’a theksojnë faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj. Shteti i Kosovës është njohur nga 117 vende, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë si dhe është anëtare e agjencive të specializuara të OKB-së si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e shumë organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar legjitimitetin dhe legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mirëpritur opinionin e GJND-së, me rezolutën e miratuar më 9 shtator 2010”, ka thënë Haradinaj.

E njejta shton se është e papranueshme se si institucione të caktuara të Republikës së Kosovës dhe parti politike parlamentare, përdorin termin “Republikë” kur i referohen Serbisë – dhe atë madje edhe në shkresa zyrtare e publike.

“ Me këtë rast i bëj thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, e me theks të veçantë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që kur thërrasin interpelanca, të mos e përdorin emërtimin e ashtuquajtur “Republika e Serbisë”, e as kur shkruajnë letra ndërkombëtare siç qe rasti mbrëmë me publikimin e letrës dërguar Presidentit të zgjedhur Amerikan Biden ku i referohej Serbisë si Republikë”, ka thëën ajo.

“Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës u sakrifikuan shumë breza, që kulmoi me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, e ka obligim ligjor dhe moral që të mbrojë dhe prezantojë me dinjitet shtetin dhe në asnjë formë të mos e lejojë nëpërkëmbjen e simboleve të tij. Këtë propozim-udhëzim do t’a paraqes edhe në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar e njejta.