Haradinaj i reagon ashpër Vuçiqit: Mohuesi i masakrës së Reçakut që po favorizohet nga BE urren patologjikisht shqiptarët

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se masakra e Reçakut është fabrikuar dhe se gjithçka është falsifikuar nga siç tha “mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky qëndrim i Vuçiqit dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale e të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

“Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar. Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale e të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, “duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”.