Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për taksën dhe statusin e Trepçës.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e Veselit për rishqyrtim të vendimit për taksën apo pezullimin e saj, Haradinaj edhe njëherë ka theksuar se taksa do të rrijë në fuqi.

“Vendosja e taksës ka qenë e drejtë e shtetit tonë dhe në këtë mënyrë e kemi kushtëzuar dialogun. Dialogu është mirë të përfundohet jo vetëm për ne, por edhe për Serbinë edhe për rajonin. Taksa do të mbetet në fuqi deri në njohje”, ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.

Kujtojmë se një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e tarifave dhe nevojën e pezullimit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit tonë dhe sfidat që paraqesin tarifat për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova dhe Serbia, thekson më tej zyrtari i lartë, duhet të ndërmarrin veprime dhe vendime të vështira, por të nevojshme, t’u japin përparësi bisedimeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”.