​Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj sonte në Deçan ka thënë se është turp për këdo që guxon të fyejë deçanasit duke thënë se ka mes tyre veteranë të rrejshëm.

Haradinaj para bashkëvendësve të tij tha se veteranët nuk duhet t’i besojnë atyre që tash i thërrasin për kafe dhe e puthin flamurin.

Vlerëson se ia kanë nxirë jetën duke i thënë se ai i ka fryerë numrat e veteranëve. Haradinaj u është përgjigjur të gjithë atyre që e kanë kritikuar për keqmenaxhim të buxhetit qatë qeverisjes së tij.

Ai tha se po kritikohet pse u ka ndarë para bujqve të Rahovecit që ua ka prishur breshëri të mbjellat.

Ai ka folur edhe për autostradën e Dukagjinit, për të cilën tha se nuk e bënë për vota. Haradinaj u ka bërë thirrje deçanasve që të votojnë për koalicionin, që sipas tij, e ka bërë Kosovën me Ushtri.

Haradinaj tha se tash është koha që të bëhet zhvillimi ekonomik, të bëhen shtesat e fëmijëve.

Ai tha se është koha që paga minimale mos me qenë më e vogël se 250 euro dhe është koha për përkujdesje të të moshuarve.

Po ashtu, Haradinaj tha se është koha që të zhvillohet shëndetësia dhe arsimi. Pretendenti edhe për një mandat në krye të qeverisë së vendit u ka bërë thirrje deçanasve që të votojnë për të, pasi sipas tij, vetëm me Deçanin ai mund të fitojë.

loading…