Haradinaj i kundërpërgjigjet Hoxhajt: Borxhin ua kam kthyer me krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Ish kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për deklaratat e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili ka thënë se kryetari i AAK-së i ka borxh PDK-së, sepse e bënë kryeministër.

“Unë e kam la borxhin jo vetëm ndaj PDK-së, por edhe ndaj brezave të tërë me krijimin e ushtrisë”, ka thënë Haradinaj në “Debat” të RTK-së, transmeton Ballkani.info.

Duke folur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, Haradinaj ka thënë se ka qenë proces shumë i vështirë.

“Ka qenë proces shumë i vështirë, por ka qenë fati ynë historik që e kemi marrë mbështetjen ndaj amerikanët. Dhe jo çdokush e kish bërë këtë, pra krijimin e ushtrisë. Këtë e thonë edhe ata (amerikanët)”, ka shtuar Haradinaj.

Ai tha tutje se amerikanët kanë dashur ta respektojnë atë kur ia mundësuan formimin e ushtrisë.

“Kanë dashur edhe të më respektojnë për shërbimin ndaj atdheut, ndaj punës që kam bërë deri tash. Ushtria i ka shpërbly të gjithë njerëzit e këtij vendi. Nëse kthehemi të qeverisja e atëhershme me PDK-në, me të gjitha sfidat që i kemi pasur, ne kemi pas shumë fitore, ushtria, pavarësia energjetike karshi Serbisë”, tha Haradinaj.

“Kush është ai politikan që e ka bërë Ushtrinë në Kosovë, pra jam unë. Nuk është krejt rastësisë që me ardhë unë dhe me u kry shumë tema, nisur nga ushtria, Ligji për Prishtinën… pra nuk janë rastësi”, ka thënë ish kryetari i AAK-së.