Haradinaj i gatshëm ta vërë taksën për vendimmarrje në Qeveri

Partia Demokratike (PDK) është sfiduar nga një qëndrim rreth vendimmarrjes për suspendimin e mundshëm të taksës për importet nga Serbia, i cili ka dalë të martën nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në këtë kabinet kanë treguar se nëse dikush nga ministrat e inicion masën e suspendimit, kreu i Qeverisë është i gatshëm ta vërë në rend dite, shkruan sot Koha Ditore.

“Kryeministri Haradinaj në bazë të rregullave në fuqi, kompetencave kushtetuese dhe konform ligjit, si deri më tani, i ka proceduar të gjitha çështjet në rendin e ditës dhe do të vazhdojë t’i procedojë të gjitha çështjet që lidhen me rendin e ditës”, i ka thënë gazetës Donjeta Gashi, këshilltare politike e Haradinajt.

Ajo e ka deklaruar këtë, tek është përgjigjur nëpërmjet një e-maili në dy pyetje që ia ka përcjellë “Koha Ditore”. Nëpërmjet tyre kërkohej informatë nëse, në rast se ndonjë anëtar i kabinetit qeveritar e inicion pezullimin e taksës ndaj importeve të Serbisë, kryeministri a do të lejonte vendimmarrje në Qeveri konform procedurës demokratike, e paraparë me rregullat në fuqi.

Kabineti qeveritar i ka 24 anëtarë.