Haradinaj-Kurti

Haradinaj i ashpër me Kurtin: Po e bën më mirë se Rusia destabilizimin e rajonit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është treguar i ashpër në raport me kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë për A2 CNN, Haradinaj është shprehur se “edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë Rusinë sa e ka ndihmuar Kurti Putinin”.

Ky reagim i ashpër i kreut të AAK-së erdhi si rrjedhojë e situatës së krijuar në Kosovë dhe marrëdhënieve me ndërkombëtarët

“Ne me shumë ngut e kemi ngritur çështjen e Kosovës në nivele të vendimmarrësve të parë të presidentit Macron e kancelarit Sholz, me mbështetjen amerikane në nivel sekretarësh shteti. Që nga marrëveshja e njohur e plani franko-gjerman qeveria jonë ka bërë kthim prapa, në vend që të shkojë në nivel e marrëdhënieve drejt anëtarësimit në NATO që ishte opsion, qeveria është kthyer prapa duke kërkuar çështje që e prishin besimin e krijuar dhe dëmtojnë marrëveshjen e arritur.

Çështja e dinarit është kulmi duke shkuar deri në hidhërim të vendeve aleatë të Kosovës. Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës kishte mund me e ndihmu veten më shumë sesa e ka ndihmuar Kurti Putinin”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij Kurti është vënë në funksion të agjendës ruse për destabilizim, duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët dhe mbështetësit e Kosovës.

“Nuk ka qenë e lehtë ngritja e çështjes tonë në nivel të presidentëve të Francës, Gjermanisë e SHBA me sekretarin Blinken. Pasi kemi arritur në këtë nivel, Kurti ka kërkuar çështje që përkeqësojnë çështjet me aleatët e sigurisë. Kurti, në vend që ta çojë Kosovën drejt NATO-s, është vënë në dispozicion të agjendës ruse për destabilizim. U kthyem në Këshill të Sigurimit si agresorë, kemi qenë viktima. 9 anëtarë të KS janë njohës. Kosova u nda në kritikë të mbështetësve kryesorë të vet. Ka plot skeptikë ndaj Kosovës dhe interesi i Rusisë është që të rritet skepticizmi i vendeve evropiane, dhe kjo loja me refuzime është në funksion të agjendës ruse duke e larguar Kosovën nga themeluesit e liderët e NATO-s dhe duke i nxitur armiqtë me e rreziku Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

Për ish-kryeministrin Haradinaj çështja e dinarit serb ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët kryesorë të saj duke rrezikuar anëtarësimin në NATO.

“Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë bota nuk është më e njëjtë. Kemi pas premtime të vendimmarrësve amerikanë përfshirë dhe senatorët që vijnë në rajon të niveleve të larta, që me zbatimin e planit franko gjerman Kosovës i hapet perspektiva për integrim në misionet euroatlantike.

Kurti nga ajo kohë i ka prish besueshmërinë me garantuesit e sigurisë sonë duke nxit armiqtë me na rrezikuar. Sikur të shkonin drejt NATO-s dinari dhe çështje si dinari nuk do të ishte relevant për çështjet e funksionimit tonë të brendshëm, ndërsa sot Kurti me dinarin e Serbisë ka arritur me na prish me SHBA, me NATO-n e aleatët kryesorë. Është vërtet tragjedia jonë”, tha Haradinaj.