Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duket se është bërë “mollë sherri” brenda kolicionit qeverisës, LDK-AAK-NISMA, me ç’rast janë shfaqur edhe ‘shkëndijat’ e para të mosfunksionimit të këtij koalicioni.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kryeministri Avdullah Hoti, nuk e ka përkrahjen e partisë së tij dhe deputetëve nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Haradinajt, rikthimi i dialogut në Bruksel dhe pranimi i agjendes evropaione të dialogut, është kthim në një dialog teknik, që është udhëhequr nga Hashim Thaçi, asokohe Kryeministër.

“Kryetari i qeverisë është kushtetues, i ka kompetencat e veta, njëkohësisht qeveria është marrëveshje politike, e përgjegjësive politike, dhe i kalon ato kompetencat e ngushta e secilit prej nesh, sepse ka të bëjë me një marrëveshje që duhet të votohet me 2/3 në parlamentat. Këshilla jonë është që të mos shkohet pa konsulta në dialog, sepse fati i dialogut po kthehet në fat të ekonomisë dhe të jetëgjatësisë së institucioneve.

Pranimi i agjendës evropiane të dialogut dhe i takimeve të njëpasnjëshme, është kthim në një dialog që e kemi kaluar të udhëhequr nga z. Thaçi. Ishte një qasje e gabuar nga Kryeministri Hoti. Gabimi bëhet edhe më i madh kur ne e pranojmë një agjendë të tillë, që nënkupton se jemi të kënaqur me lidershipin evropian dhe na konvenojnë afatet kohore dhe kjo i bie se nuk kemi nevojë për ndihmën e Amerikës, dhe une i kam bërë thirrje z. Hoti që të bëjë një hap prapa ai, që të mos sakrifikohemi dhe të mos vetkënaqemi me këtë agjend të dialogut të pakuptim. Të kthehemi në dialog me Amerikanë dhe me një marrëveshje përfundimtare”, është shprehur ai.

Haradinaj, konsideron se Hoti mund të ketë gabim kur mendon se nuk ndikohet nga askush, se si duhet të veprohet me dialogun. Ai madje shprehet me dilema nëse duhet të jenë edhe më tepër pjesë e kësaj qeverie.

“Kryeministri gabon kur thotë nuk më ndikon askush, ai mund të mos e këtë kuptuar drejtë për çfarë po bëhet fjalë. Por kur të shkon ai ne Bruksel, nuk e ka përkrahjen time. Me vetëm deputetët e LDK-së ai, kot shetitet nepër Bruksel”, tha Haradinaj.