Ish-kryeministri i Kosovës

Haradinaj: Heshtja e BE-së rreth deklaratave të Borrell për kufijtë shton pasiguri

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se heshtja dhe toleranca e kryeqyteteve të BE-së për fleksibilitetin e idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan nga Borell shton konfuzion dhe pasiguri.

“Kurrë nuk do të ketë një Marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa një kornizë të parimeve të saj”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Twitter.

Reagimi i Haradinajt vjen pasi përfaqësuesi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe zyra e tij e mandatuar për të ndërmjetësuar bisedimet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë duket se nuk e përjashtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve në rast të një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë e tillë me gjasë konsiderohet si opsion, edhe pse Gjermania, disa vende të BE-së si dhe Mbretëria e Bashkuar e hedhin poshtë për shkak të frikës për konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor.

Borrell në një intervistë me gazetarë të mediave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor ka thënë se u takon dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë të vendosin se për çfarë do të merren vesh.

Sipas tij, nëse palët merren vesh, “BE nuk mund të jetë me katolik sesa Papa”