Haradinaj: Gjatë mandatit të Gjermanisë do të liberalizohen vizat

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka dyshime që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Tutje, Haradinaj shprehet se Gjermania do t’i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian.

“Që sot, Gjermania kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Shteti gjerman me konsistencë ka mbështetur Kosovën drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, prandaj kryesimi i BE-së nga një aleat si Gjermania, përbën lajm të mirë për qytetarët e Kosovës. Kancelarja Merkel si askush tjetër në BE i kupton nevojat e Kosovës që janë ndrydhur për një kohë të gjatë, si pasojë e politikave të ngadalta të Bashkimit Evropian. Nuk kam dyshim që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do t’i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Haradinaj.