Haradinaj flet për zyrtarin rus të UNMIK-ut, i cili u arrestua gjatë aksionit të sotëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë ka mbajtur konferencë për media ku ka folur për zhvillimet e sotme në Kosovë.

I pyetur se a është veriu i Kosovës ende sfidë për institucionet tona dhe sa është funksional ligji në këtë pjesë, Haradinaj është përgjigjur shkurt pa e lidhur aksionin e sotëm të policisë në veri.

“Krimi luftohet në çdo vend të Kosovës, sikur çdokund tjetër. Si në vendet tjera ashtu edhe në Koosvë, krimi mundohet të fitojë gjithmonë, por kjo është e pamundur”, ka thënë kryeministri, përcjell Ballkani.info.

Tutje, Haradinaj ka folur edhe për zyrtarin rus të UNMIK-ut që u arrestua sot gjatë aksionit të policisë në veri.

“E kam përcjellur ngjarjen nga afër dhe e di se nuk është përdorur dhunë. Nuk dua ta lidh vetëm me ngjarjen e sotme apo arrestimin e zyrtarit në fjalë, por dua të theksoj që Kosova respekton imunitetin e organizatave ndërkombëtare në vendin tonë dhe zbaton të gjitha rregullat që rrjedhin nga Konventat Ndërkombëtare. Çdo veprim i ndërmarrë, është bërë në përputhje me ligjin.”, ka deklaruar kryeministri.

Në fund, Haradinaj ka folur edhe për reagimet e mediave dhe zyrtarëve serb për aksionin e sotëm, duke bërë thirrje për përmbajtje ndaj deklaratave që inkurajojnë krimin. /Ballkani.info