Haradinaj: Familja Jashari gjithmonë u nda me lavdi, e armiku gjithëherë u kthye prapa me turp nga Prekazi

Sot janë bërë 22 vjet që nga sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari nëpërmjet një postimi në Facebook, njofton Klan Kosova.

“22 janari 1998, për familjen Jashari të Prekazit, nuk ishte ditë e zakonshme. Atë ditë baci Shaban, me nipa e mbesa, i rezistuan sulmit të forcave të okupatorit, në sulmin e dytë të pashembullt që iu bë kësaj familjeje të madhe patriotike. Familja Jashari gjithmonë u nda me lavdi, e armiku gjithëherë u kthye prapa me turp nga Prekazi. Lavdi të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj.