​Haradinaj falënderon mërgatën për dedikimin e shkëlqyer për atdheun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të vizitës në Gjermani, është mirëpritur nga Unioni i Bizneseve Shqiptare të prirë nga kryetari i kësaj organizate, Nazmi Viqa.

Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Haradinaj ka thënë se është për admirim se si kjo organizatë ka arritur që në bashkëveprim të rrisin potencialin e tyre në tregun gjerman e më gjerë.

“Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani është shembulli më i mirë se me përkushtim dhe organizim të mirëfilltë arrihen sukseset. Është për admirim se si kjo organizatë ka arritur që në bashkëveprim të rrisin potencialin e tyre në tregun gjerman e më gjerë por edhe të ndihmojnë vendlindjen përmes projekteve të ndryshme”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka falënderuar mërgatën për dedikimin e tyre të shkëlqyer për atdheun.

“Ishte nder i veçantë që sot në Mynih të Gjermanisë të pritem nga kjo organizatë në krye me kryetarin Nazmi Viqa dhe nga anëtarët e kryesisë, ku patëm mundësi të bashkëbisedojmë për angazhimet tona të përbashkëta. Mirënjohës për dedikimin e tyre të shkëlqyer për atdheun tonë të përbashkët!”, ka përfunduar Haradinaj.