Kreu i AAK-së

Haradinaj: Ekzistenca e shtetit garantohet me anëtarësim në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që fokusi politik i vendit të jetë drejt anëtarësimit në NATO, që sipas tij, është e vetmja garanci për ekzistencën e paprekshme të shtetit. Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit në Deçan, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka thënë se qyteti dha njerëz të devotshëm për lirinë e Kosovës

Për nder të dëshmorëve dhe martirëve nga Deçani, Kuvendi i kësaj komune të dielën ka mbajtur një seancë solemne.

Të pranishëm ishin veteranë, familjarë të dëshmorëve e të martirëve, invalidë të luftës e të tjerë.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, përkujtoi të gjithë të rënët e kësaj zone e të gjithë Kosovës, e nga aty dha edhe mesazhe politike sa i përket rrugës që duhet ndjekur vendi.

Haradinaj tha se vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO garanton përjetësinë e shtetësisë.

“E vetmja mënyrë ta garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme, është që të hyjmë në NATO. E kuptoni dallimin. Nuk ka të bëjë me servilizëm e as me fitim të poenëve politikë, ka të bëjë me sigurimin e sakrificës, gjakut e të gjithë atyre brezave. Duhet ta bëjmë aleancën me NATO-n, me Amerikën. Duhet të hyjmë në NATO, të gjitha të tjerat janë rrena, mashtrime e popullizëm”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, sa u përket politikave integruese.

“Nuk shkohet me e bëra atë e bëra këtë, e bëra dinarin, jam i zoti. Je i zoti, në rregull rri vet. Gjermania e vende të fuqishme po bëhen bashkë në NATO sepse po tuten të rrinë vetë edhe Finlanda e Suedia nga frika u anëtarësuan në NATO”, ka theksuar Haradinaj.

E kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është shprehur se pa sakrificën e dëshmorëve, Kosova nuk do ta kishte lirinë dhe nuk do të ishte shtet.

“Ne na bënë tepër nder që jemi të kësaj komune. Kjo komunë ka pasur shumë njerëz të devotshëm në këtë përkushtim dhe ka pasur njerëz të gatshëm të vdesin për këtë vend. Pa këto rënie heroike, pa këtë çmim nuk do të kishim ardhur deri te liria, nuk do të mund as të kishim shtet”, ka thënë Ramosaj.

Kryetari Ramosaj ka theksuar se sakrifica e dëshmorëve shërben si motiv në punën e tij.

“Prej Ismail Haradinajt, Luan Haradinajt, Sali Çekut e deri në dëshmorin e martirin e fundit i kanë bërë nder këtij vendi. Nderi ndonjëherë për ne është edhe obligim edhe krenaria duhet të jetë obligim. Obligimi më i madh që e kemi në brezi ynë, që dikur i kemi pasur bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë ata njerëz që i kujtojmë sot është, është obligimi për një zhvillim ekonomik të këtij qyteti e këtij shteti”, është shprehur ai.

E kryesuesi i Asamblesë Komunale në Deçan, Hajdar Sutaj, në fjalimin e tij theksin e vuri te të pagjeturit që nga koha e luftës.

“Sot dhe asnjëherë nuk harrojmë dhe nderojmë me respekt familjet e të zhdukurve të cilët edhe 24 vite pas lufte nuk dinë ende asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. Pas shumë përpjekjeve të rezistencës në forma të ndryshme të popullit tonë, shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta nxjerrin në pah një brez i cili me të drejtë ishte i bindur që vetëm lufta e armatosur do ta dërgonte vendin tonë te liria dhe pavarësia, e që më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Sutaj.

E përmes një postimi në Facebook, 5 majin e ka përkujtuar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se trofeu i synuar dhe i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim.

“Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcillen si mësime dhe frymëzime ndër breza.  Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët. Dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun. Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin. Sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta”, ka shkruar Kurti.

5 dhe 6 maji janë ditët kur përkujtohen heronjtë, dëshmorët e martirët e kombit nga Komuna e Deçanit.