Ideja e ndarjes

Haradinaj: Edi Rama është ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë në Open në Top Channel, foli për raportin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Haradinaj përmendi edhe padinë e bërë ndaj tij nga kryeministri Rama, duke thënë se ky i fundit ka lobuar për ndarjen e Kosovës.

“U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës”, tha Haradinaj.

Po ju insitoni që ai ka qenë pro ndarjes sepse Rama nuk ka një qëndrim konkret- e pyeti Eni Vasili.

“Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj shtoi se Rama me pafytyrësi bëri padi ndaj tij.

“Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre dhe pafytyrësi bëri padinë i cili është akt i turpshëm”, tha Haradinaj.