Kryetari i AAK-së

Haradinaj: E çuditshme se si nuk u ngrit një gjykatë për krimet në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për Raportin e Dick Martyt, i cili inkriminon UÇK-në, mbi pretendimet e të cilit edhe u ngrit Gjykata Speciale. Haradinaj ka thënë se është e çuditshme se si nuk është ngritur njëherë një gjykatë speciale për krimet në Krushën e Madhe dhe Krushën e Vogël, duke përmendur krimet e llahtarshme të Serbisë në këto dy fshatra.

“Është e çuditshme që për Krushën, për Krushën e Madhe dhe të Vogël s’ka një gjykatë. Nuk po flas për Mehën e të tjerat, por vetëm për dy Krushat. Është e habitshme që një eurodeputet në vend se me i dhanë prioritet çështjes së Krushës, Mehës, apo Studimes, i ka dhënë përparësi veprave që i ka shkruar në raport”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka treguar edhe për momentet kur i ishte kërkuar vota për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës. Ai ka treguar pse nuk e ka votuar.

“Kur më është kërkuar vota nga aleatët dhe partnerët vendorë për me votu gjykatën, atëherë vota jonë ka qenë JO për dy parime. E para është bërë investim për ndërtim të një sistemi të drejtësisë nga bashkësia ndërkombëtare. Unë kam mëndu që ne e pranojmë dështimin dhe paaftësinë për ndërtimin e një sistemi e drejtësisë. Parimi i dytë, ka qenë drejtësia selektive. Si ka mundësi të hetohen vetëm udhëheqësit e UÇK-së, jo kryesit e krimeve. Por, me logjikën që t’i gjejmë krimet përmes krerëve të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj në Pressing të T7.

Haradinaj, veç tjerash, ka thënë se në këtë periudhë Kosovës i janë grumbulluar problemet. Ai ka bërë thirrje për unitet, në mënyrë që të mos rrezikohet stabilitet dhe siguria nacionale.

“Kosovës i janë grumbulluar sfidat, problemet. Pandemia është një problem, që po e shkakton problemin tjetër me ekonominë. Pastaj lëvizja me institucione ka sjell probleme të tjera. Gjykata Speciale, e dialogu me Serbinë, janë probleme të mëdha. Si Kosovë, përkundër faktit se kemi dallime, nuk besoj që do ta rrezikojmë stabilitetin nacional dhe sigurinë në Kosovë. Nuk është lehtë dhe do të ketë sfida”, tha ai.