Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ata që kanë thënë se përmes lëvizjes së kufijve mund të arrihet paqe, e kanë ditur se në atë mënyrë arrihet luftë dhe e kanë bërë qëllimisht.

Sipas tij, ekziston një dyshim i bazuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës.

Shefi i Qeverisë në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit, ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar që diskutimin e Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit e ka udhëhequr shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Sipas kryeministrit të Kosovës, ata duhet t’i kërkojnë falje popujve të tyre dhe taksa paguesve të Bashkimit Evropian, që e kanë humbur një vit me një ide të tillë.

Haradinaj tha se nuk beson që procesi i Mogherinit do të zgjasë, duke përmendur këtu zgjedhjet në BE që pritet të mbahen në fund të muajit maj. Sipas tij, nuk duhet ndërhyrë në agjendën e atyre që do ta marrin pastaj përsipër këtë proces.

Ai sqaroi se nuk ka asgjë personale me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë-Serbi, veçse tha se e ka kundërshtuar në çështjen e kufijve pasi kjo temë lidhet me fatin e fëmijëve në Kosovë. Për kufijtë në këtë tryezë ka folur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se ndryshimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhje e problemeve.

Tryeza e KDI-së erdhi pas përfundimit të Samitit të Berlinit që u mbajt në fund të muajit të kaluar, ku morën pjesë kryeministrat dhe presidentët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.