Haradinaj: Duhet të jemi shtet model i respektimit të drejtave të njeriut

Vetëm gjatë vitit 2018 Avokati i Popullit ka pasur 132 rekomandime për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të respektohen të drejtat e njeriut.

Prej tyre vetëm 11 janë implementuar. Ndërsa, gjatë këtij viti po ashtu 3849 fëmijë janë përfshirë në skema të përfitimit të riatdhesuar, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në takimin me Grupin Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se është shumë i gëzuar që Kosova ka ligje kundër diskriminimit, duke shtuar se ky vend  duhet të jetë shembull dhe model i respektimit të drejtave të njeriut.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në këtë takim ka përmendur edhe procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.


Sipas tij deri më tani kanë aplikuar 827 persona për njohjen e statusit.

Ndërsa, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka treguar se që nga viti 2015, kanë  rekomanduar institucionet e Kosovës për respektimin e të drejtave të njeriut.

Sipas tij vetëm gjatë këtij viti kanë qenë 132 rekomandime, por të cilat shumë pak janë implementuar.