Haradinaj: Dodiku, problemi më i madh i rajonit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për unitet dhe vigjilencë, duke thënë Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në rajon, përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai këto komente i bëri në një akademi përkujtimore kushtuar Betejës së Çabratit, në të cilën u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.Haradinaj ka përkujtuar se kjo betejë ishte e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës. Ai shprehu zotimin e institucioneve të Kosovës të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe daljen para drejtësisë së autorëve që kryen krimet e tmerrshme gjatë luftës, ndërsa përsëriti se njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte hapi i parë drejt pajtimit dhe heqjen e taksës.

I pari i Ekzekutivit tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe njëherësh pamundëson shtrirjen e ndikimit dhe interesave të Rusisë në rajon, dhe se janë të përkushtuar që Serbia të mos arrijë në lumin Ibër përmes formimit të “Dodik Republikës”, duke iu referuar Republikës Serbe në Bosnje. Ndërsa, komandanti i Brigadës 137 Gjakova, Agim Kryeziu, ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të betejës së Çabratit për lirinë e Kosovës, ndërsa ka evokuar edhe momente nga koha e hyrjes së pjesëtarëve të UÇK-së në Gjakovë.

Një fjalë rasti në këtë akademi mbajti edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se masakrat serbe në Gjakovë janë ndërprerë pas hyrjes së forcave të UÇK-së brenda në qytet, ndërsa përkujtoi edhe një mesazh të asaj kohe.

Ndryshe, në nderim të të rënëve dhe personave të pagjetur Komuna e Gjakovës kohë më parë ka mbjellë 110 fidanë në emër të tyre.

Në Betejën e Çabratit kanë rënë 7 dëshmorë dhe 41 civilë, ndërsa nga forcat kriminale serbe janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje.