Haradinaj: Dështim i plotë i Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur dështim të plotë të kryeministrit Kurti procesin e sotëm të dialogut me Serbinë në Bruksel.

“Dështim i plotë i Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut. Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit. Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit.

“Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, ka shkruar në fund ai. /Ballkani.info/