Kryeministri

Haradinaj: Beogradi zyrtar i interesuar për destabilizim

Haradinaj tha se Serbia është mobilizuar për ta paraqitur Kosovën si një vend që po tenton të krijojë jostabilitet në rajon.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa prej 100 përqind nuk mund të detyrohet të hiqet, por nuk përjashtohet mundësia që do të skenohen raste për ta paraqitur Kosovën si një vend që shkel të drejtat humanitare.

“Nuk përjashtohet mundësia që do të skenohet ndonjë vdekje diku në Kosovë për të akuzuar Kosovën se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ushqimeve, pas taksës 100 përqind për produktet serbe por institucionet e Kosovës janë kampion në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare”, tha ai.

Haradinaj shtoi se askush në Kosovë nuk ka interes për jostabilitet dhe të vetmit që kanë iu intereson ndonjë skenar për destabilizim është Beogradi zyrtar. Ai në seancën e sotme tha se Serbia është mobilizuar për ta paraqitur Kosovën si një vend që po tenton të krijojë jostabilitet në rajon, duke e krijuar ushtrinë.

“Çështja e ushtrisë është çështje e brendshme e shtetit tonë”, tha ai.