Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur kritika ndaj Bashkimit Evropian për zhagitjen e zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi.

Haradinaj ka thënë se është në natyrën e BE-së që të lëvizë ngadalë. 
“BE-ja nuk po ndihmon çështjen e Kosovës. A e dini pse? – ata kanë kohë sa të duash, shkojnë shumë ngadalë. Ajo qe 50 vjet ende nuk e ka konsoliduar veten. Ata nuk e kanë në plan me ngutë integrimin e BE-së”, ka thënë ai.
Haradinaj ka theksuar se BE mund ta vonojë marrëveshjen Kosovë-Serbi edhe për një dekadë.

“Ne duhet ta kuptojmë që BE mund të vonohet edhe 10 vjet për të zgjidhur çështjen Kosovë-Serbi”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka shprehur besimin e tij që ky proces duhet të udhëhiqet nga SHBA, pasi që me të në proces, çështja do të zgjidhet më shpejtë.
“Amerika funksionin ndryshe. Ajo ka interes për stabilitet në botë. Amerika është mirë me i pri këtij dialogut. Evropa na do neve në gjirin e saj, por proceset i ka të ngadalta”, theksoi ai.

Ndërkaq, sa i përket deklarimeve të shpeshta se Kosova duhet t’i japë Serbisë diçka në shkëmbim të njohjes, Haradinaj i ka trajtuar si deklarime joserioze.

“Kjo tema se çka do t’i japim Serbisë, është kah fryhet nga vet ne. Po flasin analistët e të gjithë se çfarë t’i japim Serbisë. Ngadalë bre!”, ka thënë ai.
Kryetari Haradinaj ka shprehur besimin e tij që edhe Serbia ka interes që të njihet nga Kosova dhe të rehabilitohet sado pak nga krimet e saj në luftën e fundit.