Haradinaj, Batalionit Atlantiku: Si atëherë edhe sot jeni të nevojshëm për atdheun

Në 20 vjetorin e themelimit të Batalionit Atlantiku, në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore në të cilën kanë marr presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj tha se ende kanë nevojë për mbështetjen e tyre.

“Kur flitet për luftën e Kosovës edhe Batalioni Atlantiku e ka historinë e tij dhe krenarinë e tij. Kur e flasim historinë e Kosovës, është e dhimbshme dhe martire. Ajo që është me rëndësi ta vërtetojmë është se ka zënë vend e drejta e shqiptarëve, dhe sakrifica juaj. Serbia sot po provon të mohojë krimin që ka bërë, po provon ta ndryshojë të vërtetën, me u paraqit viktimë. Si atëherë edhe sot ju jeni të nevojshëm për atdheun”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se puna për atdheun ende s’është kryer dhe Kosova ka nevojë për ndihmën e të gjithëve.

“Çdo vlerë e popullit tonë na është marrë. Gjysma e popullit në Kosovë është përzënë e gjysma është detyruar të jetojë në torturë, duhet t’i tregojmë botës këtë. Kemi me qenë çdo herë bashkë mos të lejojmë dikë që të tjetërsojë të drejtën e sakrificën tonë. Kërkoj ndihmën tuaj të jemi bashkë, sepse puna e atdheut tonë nuk është kryer ende”, tha Haradinaj.