Haradinaj: Bashkimi me Shqipërinë – paralajmërim serioz për miqtë ndërkombëtarë

Daut Haradinaj ka folur për idenë e fundit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për një bashkim me Shqipërinë më 2025.

Sipas tij, ky është një paralajmërim serioz për miqtë e Kosovës.

“Ky është një paralajmërim shumë serioz për partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë, për me na nxjerrë prej getos”, tha fillimisht Daut Haradinaj.

“Ndoshta dikujt i duket hajgare bashkimi me Shqipërinë, por kështu kanë menduar edhe për lirinë e Kosovës, por e kemi fituar. Nuk e di Ligjin për referendum. Ligji për referendum votohet nga qytetarët, nuk duhet 2/3. Kosova nëpërmes referendumit kërkon me u bashkëngjit”, tha Haradinaj.

“Kushtetuta nuk e pamundëson bashkimin me Shqipërinë. Nëse dëshirojnë qytetarët, nuk ndalet”, tha tutje Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kishin acaruar marrëdhëniet e tyre aq shumë sa ky i fundit kishte ngritur padi ndaj Ramush Haradinajt me akuzën për shpifje.

Mirëpo, pak muaj më vonë, Edi Rama ishte zbutur, duke e tërhequr padinë.

E çka ndodhi që u zbutën raportet mes Ramës dhe Haradinajt ka treguar në “Kallxo Pernime” Daut Haradinajt.

“U zbut qëllimi i prishjes mes Ramës dhe Ramushit. Qëllimi i prishjes ka qenë pikërisht për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, sepse ne kishim dyshime që ishte një bashkëpunim i liderëve të rajonit për ndarjen e Kosovës. Ne i kemi kërkuar publikisht z. Rama që të mos përzihet në këtë drejtim sepse nuk ka prekje të kufijve. Se prekjet e kufijve shkaktojnë gjakderdhje”, tha Daut Haradinaj në “Kallxo Pernime”.

Ai ka folur edhe për “Mini-Schengenin”, që sipas tij nuk është i realizueshëm.

“Mini-Schengeni në fillim ka qenë shtetet e rajonit pa Kosovën. Në fillim ka qenë regjional, ku dy akterët kryesorë që e kishin marrë primatin kanë qenë Beogradi dhe Tirana, por tash nuk unë nuk e shoh të realizueshëm ‘Mini-Schengenin’. I vetmi ‘Mini-Schengen’ për Kosovën është bashkimi me BE-në”, tha Haradinaj.