Haradinaj: Bashkësia ndërkombëtare i mbylli sytë para masakrave në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në Akademinë përkujtimore për 20 vjetorin e masakrës së Lybeniqit.

Në fjalën e tij, Haradinaj shfrytëzoi rastin që të përkujtojë të gjitha viktimat e rëna në këto masakra, duke theksuar se si institucione do të bëjnë çmos që ta ngrisin statusin e familjarëve të të pagjeturve.

“E tha edhe presidenti me të drejtë, jemi në periudhën kur çdo ditë kujtojmë martirë të rënë, kudo që shkojmë kemi plot të tillë. Bashkësia ndërkombëtare i ka mbyllur sytë para gjithë këtyre masakrave. Unë çdo ditë marr letra nga familjarët e të rënëve që kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info.

Kryeministri ndër të tjerash tha se për lirinë e Kosovës kemi kaluar shumë vuajtje dhe kemi ende shumë plagë të hapura, duke u shprehur se qeveria e vendit i është borxhli ndaj familjarëve të të rënëve për liri. /Ballkani.info