Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka përcjell nga afër garën e skive “Kupa e Gjeravicës 2019”, që u mbajt në bjeshkën e Belegut.

“Bashkë me shumë qytetarë, në bjeshkën e bukur të Belegut, pamë nga afër garën e skive “Kupa e Gjeravicës 2019”, organizuar nga Komuna e Deçanit dhe Federata e Skitarisë së Kosovës. Është për admirim, që çdo ditë e më shumë takojmë dashamirë të skijimit dhe sportit në përgjithësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Bashkë me Haradinajn, në këtë ngjarje morën pjesë edhe dy ministrat e kabinetit të tij, Pal Lekaj i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, dhe ai i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha, shkruan Ballkani.info.

Në Bjeshkën e Belegut u pa edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj dhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj. /Ballkani.info/