Haradinaj: Ardian Gjini model i qeverisjes shembullore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, fushatën e tij e ka vazhduar në komunën e Gjakovës, pranë kryetarit të kësaj komunë Ardian Gjini, ku takoi edhe strukturat e kësaj dege.

Haradinaj para strukturave të partisë që e drejton, tha se Ardian Gjini u bë model i kryetarit të suksesshëm dhe qeverisjes shembullore.

Më tej Haradinaj tha është krenari me qenë në ekipën e Aleancës në Gjakovë.

“Gjakova do të ketë fitore bindëse. Është krenari me qenë në ekipën e Aleancës në Gjakovë. Së pari Aleanca buron nga sakrifica për liri në Gjakovë, ku është një sakrificë unike dhe e rrallë. Të gjithë ne e dimë se cili është çmimi i sakrificës së lirisë së Gjakovës. Fjalët e kryetarit tuaj për Gjakovën, gjithmonë janë kthy në vepra kur ai ka qenë në qeverisje”, tha Haradinaj.

“Aleanca e ka dasht Gjakovën, jo vetëm kur ishte në opozitë, por edhe kur ishte në pushtet” tha Haradinaj duke shtuar se Gjakova duhet të votojë për ata që sollën investime kapitale në Gjakovë, e jo për ata që i ndërprenë ato pa asnjë arsye.

“Fuqia jonë politike është në ardhje dhe kjo do të vërtetohet më 14 nëntor. Unë nuk ju pranoj fitore nën 70 për qind”, deklaroi Haradinaj para strukturave të AAK-së në Gjakovë.