Haradinaj: Aleanca do ta luajë rolin e saj, nuk e lëmë Kosovën pa institucione

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK do ta jap kontributin e saj nëse është i nevojshëm, dhe se nuk do ta lë vendin pa institucione. Po ashtu, Haradinaj theksoi se do të mbahet mend rrëzimi i Qeverisë Kurti për votat e shumta që mori mocioni.

“Ajo që është me rëndësi të thuhet, është që një qeveri kur humbet besimin e gjysmës së vet, ajo rrëzohet. Do të mbahet mend në Kosovë, për një vendim të një vote masive, mbi 80, pra 2/3. Aleanca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’i marr obligimet që i ka një subjekt në këto rrethana”, tha ai.

Ai dha disa arsye përse AAK e votoi këtë mocion.

“Përkeqësimi i marrëdhënieve me SHBA-në e kemi pas në thelb, heqjen e taksës pa kundërvlerë, e ka dëmtu ekonominë me ide marksiste. Nuk kemi ende se çfarë do të ndodh në të ardhmen, por e kemi dhënë kontributin tonë në këtë mocion”, theksoi ai në Dukagjini.

Ai theksoi se AAK do ta luajë rolin e vet që shtetin të mos e lë pa qeveri, gjersa tha se personalisht ai nuk do të jetë pjesë e ndonjë qeverie të re.
“Presidenti i vendit do t’i nis procedurat, e atëherë kur vjen mundësia që edhe Aleanca të jap kontributin e vet, ne do të veprojmë. Nuk do ta lëmë këtë vend peng. Personalisht nuk jam kandidat për kryeministër. Aleanca nuk po lufton për pak pushtet. Rrëzimi nuk ka ndodh nga Aleanca as për hatër të PAN-it, por se Kryeminsitri e ka nxitë partnerin e vet me dalë prej Qeverisë. Aleanca nuk e ka me çdo kusht me të jetë pjesë e qeverisë së re”, theksoi Haradinaj.